Pyetjet më të zakonshme

Më poshtë do të gjeni pyetjet më të zakonshme që përgjithësisht bëhen nga të gjithë klientët.

Kemi 3 lloje instalimesh me panele fotovoltaike:

  1. ONGRID, pra i integruar me rrjetin elektrik (OSHEE).
  2. OFFGRID, pra me bateri dhe i pavarur nga rrjeti
  3. HYBRID, dmth edhe me bateri edhe i integruar me rrjetin

Çfarë duhet të lexoni? Atje ku ndodheni ju a ka energji elektrike pa ndërprerje? Nëse përgjigja është PO lexoni vetëm për ONGRID Nëse përgjigja është JO lexoni OFFGRID ose HYBRID

ONGRID

Nëse atje ku ndodheni ju ka energji elektrike pa ndërprerje dhe ju interesoheni për të instaluar panele fotovoltaike për të eleminuar ose reduktuar faturat e larta të energjisë elektrike, atëherë ne ju rekomandojmë të bëni instalim ONGRID, sepse me instalim ongrid ju kurseni, dhe investimi ju kthehet brenda 3-6 vite, varet nga sasia që do instaloni.
Po si funksionon ky sistem?

  1. Për shembull nëse ju keni instaluar 3 kw panele (afërsisht 10 pasqyra ose 16 m2 sipërfaqe) dhe gjatë ditës ju nuk konsumoni, atëherë kjo energji që prodhohet injektohet në rrjet, pra sahati numëron
  1. Nëse ju gjatë ditës konsumoni 4 kw por panelet prodhojnë 3 kw ju merrni nga rrjeti diferencën, pra 1
  2. Nëse ju konsumoni 2 kw dhe panelet prodhojnë 3 kw atëherë diferencën 1 kw e injektoni ne rrjet.

Këtë sasi energjie që kemi dhënë gjatë ditës mund ta konsumojmë gjatë natës ose deri në fund të muajit deri sa bëhet numërimi i ri. Sipas bilancit nëse në fund të muajit i kemi marrë rrjetit, ne do të faturohemi për atë sasi që kemi marr pra konsumuar, por nëse ndodhë se kemi injektuar tepricë në rrjet, kjo tepricë nuk merret më, por zerohet dhe muajin tjetër bëhet numërimi nga e para. Për të parë se sa kw panele ju duhet të instaloni ju lutem klikoni këtu.
Ky sistem mund të eleminojë faturat e energjisë elektrike ose mund t’i reduktoj ato ndjeshëm, kjo gjë varet nga stina dhe ditët me diell. Për shembull gjatë verës mund të kemi prodhim edhe më shumë se mesatarja që kemi llogaritur. Ndërsa gjatë dimrit ndodh ndryshe, pra kemi më pak prodhim se mesatarja që llogarisim. Kini parasysh se për shkak të shkëmbimit të energjisë me rrjetin, për arsye sigurie sistemi ongrid nuk punon kur ska energji elektrike nga rrjeti.
Kujdes! Për momentin ligji në Shqipëri e lejon që energjinë e prodhuar nga PF mund ta shkëmbeni me rrjetin. Pra mund ta shkëmbeni por jo ta shisni. Shkëmbim nënkupton: e jep gjatë ditës dhe e merr gjatë natës ose deri në fund të muajit. Sistemi ongrid instalohet pasi kemi marrë aprovimin nga OSHEE dhe pasi kemi vendosur sahatin me dy drejtime sipas ligjit 7/2017 neni 15 dhe sipas udhëzimit nr3 datë 20.06.2019. Për marrjen a aprovimit bëhet aplikimi dhe plotësimi i dokumentave nga kompania jonë.

OFFGRID

Nëse atje ku jeni ju energjia elektrike nga rrjeti nuk egziston, pra në male apo zona të thella larg rrjetit të energjsë elektrike, atëherë ju rekomandojmë instalimin OFFGRID, pra me bateri. Kujdes instalimin offgrid deri tani e kemi përdorur dhe testuar me sukses për ndriçim, televizor, frigorifer, lavatriçe, pompë uji si dhe ndonjë pajisje tjetër të vogël. Offgrid absolutisht nuk e rekomandojmë për sobë, bojler dushi apo pajisje të tjera të rënda me rezistencë.
Si funksionon sistemi OFFGRID?
Panelet prodhojnë energji elektrike gjatë ditës dhe e akumulojnë në bateri. Këtë sasi energjie që është akumuluar gjatë ditës mund ta konsumoni gjatë natës. Për këtë sistem nuk është nevoja për aprovimin e OSHEE. Duhet patur kujdes sepse në ditët me shi, me re ose pa diell panelet nuk prodhojnë energji mjaftueshëm dhe rrjedhimisht bateritë mund të mos karikohen 100%. Kjo gjë ndodhë shumë rrallë në Shqipëri por gjithësesi të merret parasysh. Pasi karikohen bateritë panelet ndalojnë së prodhuari energji.

HYBRID

Nëse atje ku ndodheni ju ka energji elektrike, por herë pas herë ajo shkëputet, atëherë ju rekomandojmë të bëni instalim HYBRID. Sepse me sistem hybrid ju jo vetëm kurseni por siguroni energji pa ndërprerje. Naryrisht Hybridi ka kosto të lartë sepse janë të përfshira edhe bateritë sasinë e të cilave e përcaktoni ju sipas ngarkesës.
Por si funksionon HYBRID, dmth edhe me bateri edhe i integruar me rrjetin elektrik?
Në sistemet hybrid përveç integrimit me rrjetin integrohen edhe bateri. Ky programohet sipas opsioneve por e veçanta ështe se pasi karikohen bateritë, teprica e energjisë së prodhuar nga panelet injektohet në rrjet. Pra ky sistem punon njëlloj si ONGRID por i vetmi ndryshim është se kur ska energji elektrike ky nuk stakohet por vazhdon të prodhoj energji ose të konsumoj atë që është akumuluar në bateri. Edhe për këtë lloj sistemi kërkohet aprovimi i OSHEE-së.
Kaq janë përsa i përket funksionimit të paneleve fotovoltaike. Për çdo pyetje apo paqartësi tjetër mund të na kontaktoni në çdo kohë në numrin e telefonit 0699929800 ose në adresën e emalit panelebesi@gmail.com

Ju faleminderit!

Panelet fotovoltaike jane sisteme te projektuara per te thithur rrezet diellore si nje burim energjie per te gjeneruar rryme elektrike.

Arsyeja perse duhet te investojme ne panelet fotovoltaike per te ulur ose edhe eleminuar koston e konsumit te energjise elektrike si dhe per te kontribuar ne uljen e ndotjes se mjedisit.

Panelet fotovoltaike perdoren kudo ku eshte nevoja e energjise elektrike, ne banesa, punishte, bujqesi etj.

Panelet fotovoltaike montohen mbi taracat ose çatite e ndertesave ose direkt mbi nje hapsire trualli. 1 Kw panele ose 4 pasqyra nga 100×165 cm, zene 6.5 metra katrore hapesire. Sistemet fotovoltaike instalohen ne disa menyra per te siguruar energjine elektrike. Kemi instalume ne sisteme te integruara, te pavarura ose hibride, si dhe sisteme te varura nga operatori i shperndarjes.

Panelet fotovoltaike kane jetegjatesi deri ne 25 vite. Nese investoni ne nje sistem te tille, ky investim do tu kthehet per 4-7 vite, qe nxjerr ne perfundimin qe perfitimi eshte shume here me i madh se sa kostoja e investimit.

Ditet dhe muajt me diell ndryshojne ne cdo stine, por duke marre parasysh nje mesatare, per reference, ne qofte se nje familje konsumon mesatarisht 4000-6000 leke te reja ne muaj, i duhet nje impiant 3 Kw ose ndryshe, 12 panele me nje siperfaqe prej 20 metra katrore. Mund të përdorni llogaritësin në linkun më poshtë www.panelebesi.al/llogaritesi

UDHËZIM Nr. 3, datë 20.6.2019

PËR MIRATIMIN E PROCEDURËS SË LEHTËSUAR TË AUTORIZIMIT PËR LIDHJEN NË SISTEMIN E SHPËRNDARJES TË PROJEKTEVE TË VOGLA TË RINOVUESHME PËR VETËPRODHUESIT E ENERGJISË ELEKTRIKE NGA DIELLI

Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe të pikës 4, të nenit 15 të ligjit nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë”,

UDHËZOJ:

Një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli në përputhje me nenin 15, të ligjit nr. 7/2017.
Njësia vetëprodhuese për teknologjinë foto voltaike (PV), e cila e shndërron energjinë diellore në energji elektrike, duhet të vendoset në objektin e konsumatorit në përputhje me nenin 7 “Punime që kryhen me deklaratë paraprake punimesh”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, e ndryshuar.
Injektimi në rrjet do të lejohet për kategorinë e konsumatorëve të përcaktuar sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, të cilët mund të prodhojnë një pjesë ose të gjithë energjinë elektrike që konsumojnë nga impianti PV diellore. Bilanci dhe faturimi neto, të bëhen nga OSHEE-ja në baza mujore për secilën pikë matjeje të autorizuar të klientit. Teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor, do t’i shitet Furnizuesit të Shërbimit Universal pas miratimit të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar për vetëkonsum nga kjo kategori konsumatorësh.
Fuqia e instaluar për prodhimin e sasisë vjetore të energjisë elektrike për vetëkonsum, do të përcaktohet mbi bazën e konsumit të tij përgjatë një viti sipas historikut të dy viteve të fundit, ose në rast të mungesës së një historiku, kjo llogaritje në raportin e auditimit të energjisë për këtë qëllim do të bëhet nga një auditues energjetik i certifikuar.
Aplikuesi ka të drejtë të aplikojë për rritje të fuqisë së instaluar në rastin e rritjes së konsumit vjetor.
Fuqia e instaluar e impiantit PV, për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, për çdo pikë lidhjeje ose/apo konsumator, do të llogaritet mbi bazën e orëve të punës në pik të prodhimit të energjisë elektrike nga ky impiant, por në asnjë rast nuk duhet të kalojë fuqinë e kërkuar. Deri në miratimin e një harte të rrezatimit në varësi të pozicionit gjeografik, kjo fuqi do të llogaritet për rrezatimin e mesatarizuar 1,400 kWh/kWp, pavarësisht faktit se në cilin rajon të Shqipërisë vendoset impianti. Për qëllim të këtij udhëzimi, fuqia e kërkuar është bazë për përcaktimin e fuqisë së kontraktuar me OSHEE sh.a. Kjo madhësi përcaktohet nga klienti (i cili përfaqësohet nga projektuesi i licencuar për hartimin e projektpreventivat në përputhje me ligjet e rregulloret në fuqi) dhe OSHEE sh.a. gjatë procesit të lidhje së kontratës së furnizimit me energji dhe vlera e përcaktuar shënohet në kontratë. Me ndryshimin e kushteve të aktivitetit, një përdorues që ka lidhur kontratë furnizimi për energji elektrike me OSHEE-në për një vlerë (fuqi e kërkuar) mund të kërkojë një shtesë fuqie për një fuqi të kërkuar më të madhe.
Aplikimi për lidhjen e impiantit PV dhe matësit me dy drejtime në rrjetin e shpërndarjes, do të fillojë të bëhet menjëherë sipas procedurave të ngjashme për lidhjet e reja pranë zyrave të kujdesit të klientit të OSHEE-së. Brenda 6 muajve nga dalja e këtij udhëzimi duhet të ngrihet portali online i aplikimeve të impianteve PV për vetëprodhim sipas skemës së matjes neto. Dokumentacioni për aplikimin pranë OSHEEsë, duhet të shoqërohet me:
a) plotësimin e formularit të aplikimit “Për skemën e matjes neto” dhe lidhjen me matësin me dy drejtime sipas modelit të miratuar, i cili gjendet online në adresën oshee.al;
b) deklaratën e konsumit mesatar të tij përgjatë një viti sipas historikut të dy viteve të fundit, ose në rast të mungesës të një historiku, raportin e auditit energjetik të lëshuar nga auditiuesi i certifikuar sipas parashikimeve të pikës 4 të këtij udhëzimi, së bashku me certifikatën përkatëse, dhe propozimin për fuqinë e instaluar sipas parashikimeve të pikës 6 të këtij udhëzimi;
c) projektin e miratuar nga persona fizikë dhe juridikë të licencuar për lidhjen e impiantit PV me rrjetin e shpërndarjes, në përputhje me Kodin e Shpërndarjes të energjisë elektrike të miratuar nga ERE;
d) propozimin mbi modelin e matësit dhe karakteristikat teknike të tij. Subjekti është i detyruar, sipas nenit 15 “Skemat e matjes neto të energjisë”, të ligjit nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë”, të instalojë me shpenzimet e veta një matës inteligjent me dy drejtime, sipas kërkesave të përcaktuara nga OSHEE-ja në përputhje me Kodin e Matjes. Matësi, duhet të matë energjinë elektrike që subjekti merr nga rrjeti i OSHEE-së dhe energjinë elektrike që subjekti (impianti PV) fut në rrjetin e OSHEE. Për të njohur konsumin e përgjithshëm të energjisë elektrike të klientit vetëprodhues, vendoset një matës inteligjent me një drejtim të prodhimit pas inventarit kryesor, sipas kërkesave të përcaktuara nga OSHEE-ja në përputhje me Kodin e Matjes.
OSHEE-ja duhet që brenda 30 ditëve pune nga data e aplikimit, të kthejë përgjigje për autorizimin për lidhjen. Në rast se OSHEE-ja konstaton mangësi njofton brenda 5 ditëve me shkrim mbi mangësitë e dokumentacionit të aplikimit, i cili duhet të plotësohet brenda 10 ditëve.
OSHEE-ja mund të refuzojë aplikimin në rastet kur standardet e planifikuara të sistemit të shpërndarjes në Kodin e Shpërndarjes, nuk u sigurojnë aplikuesve, frekuencën në kufirin normal të operimit, luhatjet e lejuara të tensionitdhe parametrat teknikë të tjerë sipas legjislacionit në fuqi, në pikën ku kërkohet të bëhet injektimi. Në një rast të tillë, OSHEE-ja duhet të njoftojë aplikuesin për luhatjet e tensionit dhe të frekuencës, në një mënyrë transparente dhe të besueshme, të bazuar në matje gjatë periudhës së aplikimit.
Çdo subjekt ka të drejtë riaplikimi pas plotësimit të mangësive dokumentare, përmirësimit të cilësisë së rrjetit apo marrjes së masave të optimizimit të rrjetit nga vetë klienti me koston e tij.
OSHEE-ja, në përputhje me zhvillimet teknologjike të kohës, të vendosë standarde dhe kushte teknike të aplikueshme për sigurinë në përputhje me gjendjen e rrjetit të shpërndarjes, por në çdo rast, duke mos kufizuar nëpërmjet këtyre kushteve, të drejtën që jep ligji nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë” për aksesin në rrjet dhe të drejtën për të depozituar në rrjetin e shpërndarjes tepricën e energjisë elektrike.
OSHEE-ja, pas autorizimit të lidhjes me impiantin PV, me procedurë të përshpejtuar të kryejë ndërrimin dhe/ose lidhjen me rrjetin të matësit me dy drejtime dhe në momentin e lidhjes, të bëjë ndryshimet përkatëse në sistemin e llogaritjes së faturës mujore sipas pikës 4 dhe pikës 7/d të këtij udhëzimi. Në çdo rast matësi i propozuar do të jetë në përputhje me kërkesat dhe kushtet e Kodit të Matjes. Këto kërkesa dhe kushte mund të rishikohen në përputhje me kërkesat e pikës 11 të këtij udhëzimi, me qëllim që të merret në konsideratë çdo ndryshim i teknologjisë apo kërkesave teknike që lidhen me zhvillimin industrial, si dhe udhëzimet ndërkombëtare.
Vetëprodhuesi duhet që të instalojë sistemin PV brenda 6 muajve nga data e miratimit të aplikimit dhe të bëjë njoftimin pranë OSHEE-së për përfundimin e këtij instalimi. Në rast të tejkalimit të këtij afati aplikimi duhet të përsëritet.
Në momentin e vënies në punë të sistemit PV, vetëprodhuesi duhet të njoftojë me shkrim OSHEE-në, duke i venë në dispozicion dokumentacionin e mëposhtëm:
a) kopje të miratimit të aplikimit dhe procesverbalin e kolaudimit dhe instalimit të sistemit të matjes për të dy matësit inteligjentë;
b) kopje origjinale të aktkolaudimit të sistemit, firmosur nga projektues të licencuar për impiante të prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme nga dielli (kat. 10c) dhe zbatues të licencuar për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë (kat. NP-10A), së bashku me konfirmimin e vetëprodhuesit të sistemit PV;
c) manualet dhe skedat teknike të produkteve të sistemit PV, siç janë: panelet, inverterat, kabllot etj.;
d) të dhënat e aksesimit online në platformën e monitorimit të sistemit.
OSHEE-ja mund të shkëpusë impiantin për vetëkonsum, në rast kur vërteton se klientët kanë projektuar një impiant i cili në harkun e një viti tejkalon konsumin e energjisë të klientit ose kur vërtetohet se impianti është instaluar dhe/ose funksionon ndryshe nga projekti i miratuar. Në të gjitha rastet, OSHEE-ja njofton me shkrim vetëprodhuesin dhe ndërhyn për ndërprerje vetëm pasi vetëprodhuesi nuk ka bërë rregullimin e propozimeve të OSHEE-së.
Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, OSHEE-ja të propozojë në ERE dhe në MIE, ndryshimet në Kodin e Shpërndarjes dhe në Kodin e Matjes, të cilat mund të ndikohen nga vendosja e PV për vetëkonsum.
Deri në miratimin e Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar, teprica e energjisë, që tejkalon konsumin mujor, do t’i kalojë Furnizuesit të Shërbimit Universal pa kundërshpërblim për vetëprodhuesit. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

MINISTËR I INFRASTRUKTURËS  DHE ENERGJISË

Belinda Balluku